Adelajda Roka, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), është thirrur në SPAK, ku është marrë në pyetje për rreth gjashtë orë lidhur me lejet e ndërtimit dhe dyshimet për korrupsion.
Sipas burimeve të GazetaAlbania.com, gjatë marrjes në pyetje në muajin qershor, Rokës i ka rënë të fikët përpara prokurorëve. Burimet thonë se episodi ka ndodhur ndërsa ajo po pyetej për procedurat e miratimit të lejeve të ndërtimit.
Në qendër të dyshimeve janë pagesat që Roka pretendohet se ka marrë nga biznesmenë dhe persona të lidhur me grupe kriminale në këmbim të lejeve të ndërtimit.
Sipas burimeve, një nga praktikat që po verifikohet lidhet me lejet që miratohen, por nuk zbardhen. Investitorëve u thuhet se lejet janë miratuar, ndërkohë që dokumentacioni përfundimtar nuk u vihet në dispozicion.
Në këtë mënyrë, sipas pretendimeve, biznesmenë të ndryshëm mund të kenë paguar për leje që nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat administrative.
Dyshimet shtrihen edhe te dosja “The Albanian Files”, që lidhet me projektet e mëdha të ndërtimit dhe rolin e studiove të huaja të arkitekturës. Emri i Rokës është përmendur në kallëzimin e depozituar në SPAK për këtë çështje.
Burimet e GazetaAlbania.com thonë gjithashtu se Roka mund të ketë pasur mbrojtje brenda SPAK, për shkak të interesave të mundshme të disa prokurorëve në sektorin e ndërtimit.
Sipas burimeve të GazetaAlbania.com, mbi Adelajda Rokën ngrihen dyshime edhe për marrëdhënie financiare me gazetarë të caktuar, të cilët i përdor jo vetëm për të ndikuar në raportimin mediatik, por edhe si sekserë në marrëdhëniet me biznesmenë të interesuar për leje ndërtimi.
Këto pretendime janë duke u verifikuar nga prokurorët e SPAK.
Adelajda Roka është motra e Xhino dhe Marsel Rokës, të përmendur në hetimet ndaj grupit të dyshuar kriminal të Suel Çelës. Për këtë arsye ajo sillet si e paprekshme.
Dy vëllezërit e Adelajda Rokës, Xhino Roka dhe Marsel Roka, janë dërguar për gjykim nga SPAK më 22 shkurt 2026, si të pandehur në dosjen e organizatës kriminale të Suel Çelës.
Sipas njoftimit të SPAK, akuzat që rëndojnë mbi ta janë:
1. Xhino Roka
- Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, ndaj Ardjan Çopjas, më 8 qershor 2020 në Elbasan.
- Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes ndaj Bledar Muçës dhe Elvis Koçit.
- Organizatë kriminale.
- Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve.
- Trafikim narkotikësh, lidhur me një ngarkesë prej 446 kilogramësh kokainë të sekuestruar në Holandë më 5 janar 2021.
- Grup i strukturuar kriminal.
2. Marsel Roka
- Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, ndaj Ardjan Çopjas, më 8 qershor 2020 në Elbasan.
- Organizatë kriminale.
- Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve, në kuadër të organizatës kriminale.
Xhino Roka ka edhe akuza për trafik ndërkombëtar droge dhe përgatitje të vrasjeve të tjera.










